Gjatë mbrëmjes së parë të Audicioneve të Fshehura trajnerja Miriam Cani e shtypi butonin e kuq gjashtë herë. Ajo arriti të marrë në skuadrën e saj 4 prej konkurrentëve, duke qenë e para me numrin më të madh të artistëve.
Miriami ka nisur kështu mbarë duke mbledhur në një skuadër zëra të fuqishëm, të ëmbël dhe shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Karakteret e ndryshme padyshim që do ta ndihmojnë trajneren të krijojë një skuadër të fortë në të gjitha nivelet.
I pari që hapi garën dhe zgjodhi trajneren Miriam Cani ishte Arseldi. Djali nga Shkodra arriti jo vetëm të bënte trajneren e tij të preferuar të kthehej, por dhe të kishte një duet me të edhe pse shumë i emocionuar. Bashkë me Arseldin skuadrës së Miriamit i bashkohet një tjetër dashuruese e muzikës klasike, Anja. Anja dhuroi një performancë përrallore duke paraqitur dhe vizualisht dashurinë e saj për filmat e animuar, e veshur me kostumin e heroinës Mulan. Konkurrentja e tretë e Miriamit ishte Desila, vajza e vogël që u ngjit në skenë me lepurushin e saj fatsjellës Felix. Me siguri një element që e ndihmoi Desilën të kalonte këtë fazë përveç fatit ishte potenca e saj e zërit. Konkurrenti i fundit që mahniti trajnerët me zërin e tij ishte Denis.B. kampioni kombëtar i kërcimeve karaibike, që këtë herë vjen për të shkëlqyer në një tjetër disiplinë.