Këtë natë 6 artistët e vegjël që do të performojnë në skenën e Finales së ‘The Voice Kids’ do të gjykohen nga publiku, i cili do të votojë nëpërmjet mesazheve telefonike.
Pas performancave të secilit do të mbyllet televotimi i parë, nga ku do të zgjidhen më të votuarit e çdo skuadre, për të cilët do të hapet sërish televotimi.
Tre artistët e vegjël që do të marrin më tepër vota nga televotimi i parë do të performojnë edhe njëherë këngën me të cilën janë prezantuar në Audicionet e Fshehura, ndërkohë që televotimi vazhdon për të tre.
Votat janë akumulative, çka do të thotë që votave nga televotimi në fazën e parë do t’u bashkohen edhe votat e televotimit të fazës së dytë dhe artisti me më tepër vota do të shpallet edhe zëri më i mirë i këtij edicioni të dytë të ‘The Voice Kids’.