Si vendose të marrësh pjesë në ‘The Voice Kids’?
Unë kam qenë përherë një fëmijë i ndrojtur ndaj dhe nuk doja të merrja pjesë në asnjë garë televizive. Ishin mami me motrën ato që bënë aplikimin online në momentin të cilat panë spotin publicitar pa dijeninë time, pasi unë u kisha thënë paraprakisht jo. Unë kam mësuar për audicionin një ditë para.
Ishte ‘The Voice Kids’ ashtu siç e prisje?
Jo, ka qenë edhe më i bukur sesa e kam menduar. Për këtë falenderoj pafund mamin dhe motrën, sepse jam kënaqur pafund në këtë spektakël. Kam shijuar çdo çast. Që nga provat e përditshme me Vocal Coach, Gent Myftaraj, momentin e Audicionit të Fshehur kur të tre butonat u shtypën për mua. Ka qenë një emocion i jashtëzakonshëm. Jam kënaqur me punën së bashku me trajnerët tanë, që janë shumë të përkushtuar dhe shumë shakaxhinj (qesh).
A ke bërë miq në Voice?
Shumë, shumë miq! Nuk di nga cili emër ta nis pasi kemi formuar një grup të bukur të gjithë. Por do të veçoja Patin dhe Luisidën me të cilat kam patur një marrëdhënie më të veçantë. I dua shumë të gjithë, Stinën, Danielën, Denisin, Klean. Ne kemi një grup të ‘whatsapp’ me pothuajse të gjithë konkurrentët e ‘The Voice’ me të cilët flasim çdo ditë. Jemi përherë në komunikim edhe nëpërmjet rrjeteve sociale dhe do të vazhdojmë kështu.
E kishe menduar se cilin trajner do të zgjidhje nëse do të kaloje Audicionet e Fshehura?
Në fillim e kam patur me mëdyshje, por më vonë e vendosa që do të zgjidhja Renisin dhe Sandrin dhe u lumturova pamasë kur ata u kthyen për mua.
Pse pikërisht Renisin dhe Aleksandrin?
Për dy arsye. E para sepse Sandri ka shumë eksperiencë në skenë dhe mund të mësoja shumë prej tij. Arsyeja e dytë është që ata janë rock-erë dhe mua më pëlqen shumë rock-u. Gjej veten në këtë rrymë. Miriami dhe Eneda janë shumë të ëmbla dhe këngëtare shumë të mira, por më pëlqejnë pak më shumë trajnerët e mi. (qesh)
Si mendon se do të jetë Finalja?
Mendoj se do të jetë super e bukur. Ne të gjithë po përgatitemi fort për të dhënë një spektakël të madh dhe do të ketë shumë surpriza. Edhe nëse nuk do të jem unë fituesja, jam shumë e lumtur që kam arritur deri këtu.