“The Voice Kids” fillon netët “live”. Nuk ka emocion më të madh për artistët e vegjël sesa të interpretojnë në një skenë të vërtetë, “live”, e me gjithë elementët plotësues që e bëjnë një performancë magjike në çdo aspekt.
Aq më shumë që ata interpretojnë krah trajnerëve të tyre, që i sollën deri në këtë fazë, fazën më emocionuese të spektaklit që nis këtë të premte të 23 marsit.
Kapitulli i fundit i spektaklit është paraprirë edhe nga promoja e re e “The Voice Kids”, që tregon se sa të papritura janë rrugës.
Netët “live” do t’i prekin 18 artistë të vegjël, që ia dolën të kalojnë të gjitha fazat. Skuadra e Miriamit, Enedës, Aleksandrit dhe Renisit kanë përkatësisht nga 6 artistë ende në garë.
Një hapësirë e rëndësishme që prej kësaj faze merr edhe “V Room”, me komente, analiza në prapaskenë rreth konkurrentëve dhe gjithçka që përfshin komentet në rrjetet sociale.
Në rolin e “V Room Reporter” do të jetë prezantuesja Dojna Mema, e cila në edicionin e vjetshëm ka qenë opinioniste, ndërsa këtë vit i bashkojhet stafit të “The Voice Kids”.
Dhe surprizat nuk kanë fund. Kida do të jetë e pranishme në natën e parë “live” të “The Voice Kids”. Këngëtarja nga Prishtina, e vlerësuar si këngëtarja në krye të 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare, do të shuajë kureshtjen e shumë fansave dhe adhuruesve të saj këtë të premte në çeljen e netëve “live”.
Gjithçka në skenën e “The Voice Kids” po përgatitet për fillimin e një faze të rëndësishme. Gjashtë artistë për çdo skuadër. Cilët do të shkojnë në finale? Dhe a do të interpretojnë të gjithë ata natën e së premtes?
Për t’u zbuluar kjo në ekranin e Top Channel në orën 21:00, vetëm në “The Voice Kids”.
Top Channel