Audicionet e Fshehura u mbyllën të premten e shkuar, duke i lënë radhën pjesës më të “ashpër” të spektaklit. Skuadrat janë të plotësuara. Trajnerët janë gati për Betejat që do të shohin fëmijët përballë njëri-tjetrit në ring. Secili nga trajnerët ka 18 talente në ekipin e tij. Ndryshe nga ‘The Voice’ për të rritur, Betejat në ‘The Voice Kids’ janë ndërmjet 3 artistëve dhe secili trajner do të ketë nga 6 Beteja.
Janë trajnerët ata që do të vendosin se cilët nga fëmijët do të jenë në garë bashkë në ringun e Betejave të ‘The Voice Kids’. Do të jenë ata që do të vendosin fituesin që do të vazhdojë aventurën e tij edhe më tej. Betejat janë një fazë e mbushur me emocione të forta që do të tregojë edhe më tej talentin e fëmijëve pjesëmarrës në këtë talent show. Ndërkohë në rrjetet sociale prej kohësh ka nisur “beteja” midis mbështetësve të skuadrave. Çdo javë publiku e tregon mbështetjen ndaj skuadrave të tyre të preferuara, duke komentuar ose vendosur hashtag-un përkatës.
Cila do të jetë skuadra më e fortë? Ajo që do të vjedhë më shumë zemrat e publikut? Sonte në mbrëmje, ora 21:00 në Top Channel, mos humbisni Betejat!