Një nga spektaklet më të ndjekura të zbulimit të talenteve të këngës në Shqipëri, “The Voice Kids”, do të vijë në edicionin e rradhës në janar në ekranin e Top Channel.
Programi këtë vit do të prezantohet nga Dojna Mema, e cila aktualisht është një nga moderatorët e “Pop Culture”.
Teksa stafi i “The Voice Kids” është duke bërë përgatitjet për audicionet me fëmijët nga e gjithë Shqipëria e trevat shqipfolëse, nisjen e mbarë të sezonit të tretë e ka uruar edhe prezantuesi e producenti ekzekutiv i deritanishëm i spektaklit, Ledion Liço.
“Në janar nis sezoni i ri i ‘The Voice Kids’ në Top Channel. Si gjysëm shaka vitin që kaloi thashë që nuk do ta bëj më këtë eksperiencë sfilitëse emocionale, pas tetë vitesh si prezantues, tre prej të cilave si producent ekzekutiv. Shakaja është gjysma e së vërtetës dhe mesa duket është koha t’i hap rrugë një vizioni të ri dhe një brezi të ri”, shprehet Liço.
Ai shton se është krenar për arritjet e “The Voice” në Shqipëri, si programi me audiencen më solide, më shikueshmërinë më të lartë online dhe kontributin e tij në të.
“Jam krenar per stafin që ka punuar me mua e që do të vazhdojë ecjen përpara programit, te cilit i uroj shumë fat”, thotë Liço.
“Në 16 vitet e mia në Top Channel, çdo program ka patur ciklin e tij. Një kapitull i ri nis së shpejti me një projekt gjigand, emrin e së cilit e doni shumë. Duke falenderuar Top Channel, dhe të gjithë juve për mbeshtetjen në gjithë këto vite, shihemi së shpejti”, thotë ai.