“The Voice Kids” ka zhvilluar një audicion të dytë në qytetin e Tiranës. Fëmijët që nuk kanë pasur mundësi të tregojnë talentin e tyre më herët shfrytëzuan këtë ditë. Ata erdhën këtë të premte nga e gjithë Shqipëria, por edhe nga Kosova.

“Vij nga Peja. Erdha këtu që të realizoj një ëndërr timen. Tek audicioni në Prishtinë nuk munda të merrja pjesë sepse aplikova me vonesë, pastaj më ndihmoi vëllai që të aplikoja këtu në Tiranë”, thotë një aplikante.

“Unë kam marrë pjesë te ‘The Voice Kids 2’ si trajnere e vogël, ka qenë një eksperiencë shumë e bukur. Ndërsa sot do të këndoj këngën ‘You Lost Me’ të Christina Aguilerës”, thotë një tjetër aplikante.

“Vij nga Berati. Kam marrë pjesë në festivalet e fëmijëve të qytetit të Beratit dhe kam marrë 3 çmime”, thotë një tjetër aplikant.

“Kam marrë pjesë në shumë aktivitete, në Shkup, Dibër të Madhe, etj.”, shprehet një tjetër.

Fëmijë të bukur dhe të talentuar, ky është përshkrimi i jurisë për “The Voice Kids 3”. Një gjë e tillë e bën garën më të ashpër dhe emocionuese.

“Sot është audicioni i fundit i Tiranës, është mundësia e fundit e të gjithë fëmijëve për të ardhur për të konkurruar. Shpresojmë që të kemi prurje sa më shumë”, thotë Alban Male.

“Ka zëra shumë të mirë, sikurse ka fëmijë shumë të bukur, shumë interesantë”, shprehet Kamela Islamaj.

Ndërsa ditën e hënë, për talentet e përzgjedhur nga juria do të nisë faza e përzgjedhjeve, ku ata më të talentuarit do të këndojnë në një skenë të vërtetë.