Një tjetër ndalesë plot me emocione e “The Voice Kids” ishte Prishtina këtë të premte. Një radhë e gjatë fëmijësh ishte në pritje për audicionin e “talent show”-t.
Shumë prej tyre kishin udhëtuar nga qytete të ndryshme në Kosovë, vetëm për “Voice Kids”.
“Unë quhem Ardit Hamiti dhe vij nga qyteti i Prizrenit. Kam shumë emocione, të them të drejtën”, shprehet një konkurrent.
Studiot e Top Channel në Prishtinë mirëpritën fëmijë të talentuar, të gjithë me entuziazmin e një gare të madhe, në spektaklin më të madh e më të rëndësishëm të talenteve në Shqiptari.
“Sot do të këndoj këngë të Indila dhe Dua Lipës. Si trajnere më pëlqen Miriam Cani”, thotë një konkurrente.
Edhe njëherë, Kosova tregoi që di të emocionojë me talentet e saj, ashtu si më herët në edicionet e “The Voice”, ku konkurrentët e saj kanë treguar që dinë t’ia dalin mirë brenda një gare mes më të mirësh dhe të zhvillojnë edhe një karrierë artistike pas skenës së “The Voice”.
“Unë mendoj që është një mundësi e mirë për të shprehur talentin. Nëse do të ktheheshin të gjithë trajnerët për mua, atëherë do të zgjidhja Enedën”, shprehet një tjetër.
Kosova nuk zhgënjen asnjëherë, edhe në “Voice Kids” fëmijët janë jo vetëm këngëtarë, por multi talente, shumë prej tyre edhe instrumentistë.
“Nga trajnerët, unë do të zgjidhja Aleksandër Gjokën dhe Renis Gjokën, sepse ashtu e kam stilin”, thotë një tjetër konkurrente në audicionin e Prishtinës.
Më pas, produksioni do të udhëtojë drejt Korçës, më 19 shtator, tek Biblioteka e Fëmijëve, në orën 13:00. Një ftesë e hapur për të gjithë ata që duan t’i bashkohen rrugëtimit më të madh në kërkim të zërit më të mirë.
/ Top Channel