Tingujt muzikor pushtuan Pallatin e Kulturës në qytetin e Kukësit aty ku dhjetëra fëmijë u shfaqën që në orët e para të mëngjesit për të provuar zërin dhe aty ku “The Voice Kids” zhvillon audicionet për herë të parë.

Disa nga talentet e vegjël janë shprehur shumë të ekzaltuar për të kënduar para jurisë ku me mikrofonin në dorë dhe me zë të turpshëm na kanë zbuluar këngët që kanë zgjedhur për të kënduar.

“Situata duket shumë premtuese. Kanë ardhur zëra shumë të mirë. Kemi parë shumë zëra interesant dhe presim që të vazhdojë kështu”, shprehet Kamela Islamaj, Vocal Coach.

“Është kënaqësi e madhe, besoj se ia ka vlejtur shumë, sepse na kanë ardhur shumë fëmijë me zëra të mirë”, thotë Alban Male, drejtor artistik.

Për të mbështetur miqtë e saj ishte dhe artistja e vogël e edicionit të dytë, Daniela Toçi e cila u dha këshillat e saj të shoqëruara me përqafime të ngrohta.

“The Voice Kids” ka ende destinacionet të tjera në kërkim të zërit më të mirë dhe nesër është radha e Prishtinës për Audicionet. Shihemi prej orës 11:00 tek zyrat e Top Channel në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve. Mos mungoni!