Kamela ti ke disa vite që je pjesë e ‘The Voice of Albania’. Këtë sezon po punon me fëmijët. Si është të punosh me fëmijët krahasuar me të rriturit? Është më e lehtë apo më e vështirë?

Të punosh me fëmijët është një nga gjërat më të bukura që mund të të ndodhë. Ata të bëjnë pjesë të pasioneve të tyre, të përfshijnë natyrshëm në çiltërsinë dhe energjinë e pastër dhe pozitive që mbartin. Janë të drejtpërdrejtë dhe nuk kanë asnjë problem të të thonë diçka që nuk u pëlqen dhe në këtë mënyrë është më e thjeshtë të bashkëpunosh me ta, sepse çdo gjë është e qartë. Me të rriturit shpesh kjo gjë nuk ndodh. Me fëmijët është shumë i vështirë menaxhimi psikologjik i tyre, sepse janë më të ndjeshëm dhe sigurisht kërkon një trajtim dhe përgjegjësi të veçantë, por nga ana tjetër ta bëjnë punën shumë më të lehtë në krahasim me të rriturit. Puna me fëmijët na ka bërë të gjithëve pak fëmijë në aspektin e përjetimeve.

Si i krijon marëdhëniet e tua me konkurrentët? Je më shumë një mësuese apo një mikeshë?

Unë nuk jam një person shumë i thjeshtë në komunikim, në mënyrën sesi krijoj marrëdhëniet me njerëzit. Le të themi që kam nevojë për kohën time, por ky rregull me fëmijët ka dalë jashtë loje, pasi me ta është shumë e thjeshtë të krijosh një marrëdhënie të vërtetë, të çiltër pa rezerva dhe komplekse. Fillimisht kam qenë në rolin e mësuesit, por gjatë kalimit të kohës ne u bëmë dhe shumë miq. Unë vazhdoj të mbaj kontaktet me të gjithë fëmijët e ‘The Voice Kids’, qoftë ata që kanë kaluar Audicionet e Fshehura, qoftë ata që nuk kanë kaluar.

Si janë shijet muzikore të fëmijëve? A kanë ata ndryshim nga të rriturit?

Një ndryshim themelor i fëmijëve nga të rriturit është se ata janë shumë më të përditësuar me muzikën. Sigurisht ndjekin shpesh këngëtarët që i përshtaten më shumë, që janë më afër në moshë me ta. Gjithsesi, ata kanë tendencë të  dëgjojnë muzikën e fundit që është një gjë shumë e mirë. Në rastet kur u sugjerohet një këngë që ata nuk e njohin, tregojnë një nivel të lartë profesionaliteti. Fëmijët kanë rezultuar shumë më të përgjegjshëm dhe të disiplinuar. Arrijnë të kuptojnë shumë mirë kur një këngë i përshtatet më shumë vokalit të tyre dhe studiojnë fort.

Ti i njeh fëmijët që nga momenti i audicionit fillestar të tyre. Ke qenë në kontakt me ta për shumë kohë, në përzgjedhjen e tyre, në zhvillimin e provave dhe deri në momentin e fundit përpara se të ngjiteshin në skenë. Si i ke përjetuar Audicionet e Fshehura?

Audicionet e Fshehura unë i kam përjetuar me zemër në dorë. Unë i njoh që në audicionin e parë dhe pas çdo takimi jemi lidhur edhe më shumë. Praktikisht jemi familjarizuar aq shumë sa pa frikë mund të them se të gjithë jemi ndjerë pjesë e një familjeje. Ka qenë shumë i vështirë momenti i përcjelljes në skenë. Emocionet e Audicioneve të Fshehura ishin super të fuqishme për mua. Gjatë gjithë kohës e pushtuar nga ankthi, do të qëndrojë apo do të largohet, a do të shtypet butoni apo jo për të (për secilin nga fëmijët që është ngjitur në skenë). Pavarësisht se e di shumë mirë sesi funksionon formati, në fund të ditës ndihesh njësoj si të gjithë prindërit e tjerë dhe gjen veten duke thirrur: shtype, shtype! (qesh)

Audicioneve të Fshehura po i vjen fundi. Kemi parë shumë talente dhe zëra të veçantë, karaktere që spikatën nga java në javë. Çfarë duhet të presim nga finalja e Audicioneve të Fshehura?

Finalja e Audicioneve të Fshehura ka për të qenë po aq e bukur dhe e pasur në talente dhe surpriza sa dhe netët e kaluara. Por këtë herë ka një element më shumë që e bën garën më ritmike dhe akoma më emocionuese. Trajnerëve u kanë mbetur dhe shumë pak vende për të plotësuar skuadrat e tyre dhe duhet të jenë të kujdeshëm në zgjedhjet që bëjnë. Duhet të marrin vërtet më të mirët. Gjëja më e bukur e këtij edicioni është se fëmijët janë super të talentuar, kështu që nuk do të zhgënjejë. Finalja e Audicioneve të Fshehura do të jetë një tjetër vërtetim që në Shqipëri ka talente që pa asnjë dyshim do të mbahen mend gjatë.

Mendon se fëmijët që do të ngjiten në skenë në finalen e Audicioneve të Fshehura do të kenë më pak apo më shumë emocione?

Sigurisht që sa më shumë i afrohet fundi, emocionet shtohen. Këtë gjë e perceptojnë dhe fëmijët, të cilët përpiqen të japin më të mirën e tyre dhe të mposhtin emocionet për të dhuruar një performancë të shkëlqyer. Na mbetet të presim dhe të ndjekim mbrëmjen e nesërme për të zbuluar çfarë do të ndodhë.